Grupi koordinues i protestës publikon 5 kërkesat: dorëheqje e qeverisë, qeveri teknike dhe Kushtetutë e re

Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 23-të radhazi, ndërsa gjatë tubimit të sotëm është bërë publike një platformë me pesë kërkesa nga grupi koordinues i protestës.

Në një deklaratë përpara protestuesve, përfaqësuesi Dritan Goxhaj prezantoi kërkesat e cilësuara si “të panegociueshme”, të hartuara sipas tij pas propozimeve të qytetarëve gjatë më shumë se tri javëve proteste.

Sipas platformës së paraqitur, kërkesat kryesore përfshijnë:

1- Dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.

2- Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.

3- Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;

Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4- Mosheqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:

Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5- Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar direkt nga sheshi i protestës.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top